Albtelecom, pajtimi mujor do të arrijë në 1 mijë lekë
Nga Ersuin Shehu
Tarifat e telefonisë fikse pritet të rriten përsëri. Nga metodologjia e re për matjen e kostove të Albtelecom ka rezultuar që kosto e këtij shërbimi është më e lartë se vlerësimet e kryera me metodologjitë e mëparshme. Nga 358 lekë që është aktualisht, që nga muaji i ardshëm pajtimi mujor pritet të arrijë në 442 lekë, ndërsa vitin e ardhshëm kjo tarifë mund të arrijë në njëmijë lekë. Përveç pajtimit mujor, rritje pritet të pësojnë edhe tarifat e thirrjeve lokale, që do të rriten në 3 lekë, nga 2.5 lekë që është aktualisht, ndërkohë që pritet të ulen tarifat e thirrjeve ndërkombëtare të Albtelecom. Rritje pritet të pësojnë edhe tarifat e interkoneksionit të operatorëve të telefonisë celulare në Albtelecom.
Sipas ekspertëve të AKEP, këto ndryshime janë në kuadrin e ribalancimit të tarifave, në përputhje me kostot. Veçanërisht në rastin e Albtelecom tarifat kanë qënë mjaft problematike, sepse për vite të tëra tarifat kanë qënë nën kosto, madje ka munguar edhe një informacion i mirëfilltë në lidhje me kostot e operatorit kombëtar të teleonisë fikse. Së fundmi, AKEP ka marrë rezultatet paraprake të metodologjisë së re të matjes së kostove për Albtelecom, e përgatitur kjo nga një shoqëri e specializuar e kontraktuar nga AKEP. Nga raporti paraprak rezulton se kosto e tarifës së pajtimit mujor të Albtelecom është rreth një mijë lekë në muaj, tarifë që pritet t’i vendoset konsumatorit vitin e ardhshëm. Specialistët e AKEP shprehen se ribalancimi i tarifave është i domosdoshëm për t’i dhënë stiumujt e duhur Albtelecom për të investuar në zgjerimin e rrjetit. Shqipëria është vendi me penetrimin më të ulët të telefonisë fikse në Europë me më pak se 12%. Shtimi i investimeve për zgjerimin e rrjetit do t’i jepte mundësinë një numri më të madh familjesh shqiptare të kishin akses në telefoninë fikse. Një problem tjetër, sipas ekspertëve, është se tarifat nën kosto të Albtelecom shtermbërojnë konkurrencën në dëm të operatorëve të tjerë më të vegjël të telefonisë fikse.


Komente
Ju duhet të regjistroheni për të lënë komentin tuaj! Në qoftë se nuk jeni i regjistruar akoma mund ta bëni këtu !